Arjan dhe Vilma Konomi kanë mbetur të plagosur mesditën e sotme në Tiranë, si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në hyrje të “Rrugës së Kavajës”.
Çifti, i cili tani ndodhet në spitalin e Traumës, ishte duke kaluar vijat e bardha bashkë me djalin e mitur tre muajsh. Semafori ishte jeshil për ta dhe i kuq për mjetet, por aty kaloi me shpejtësi “skëterrë” një Mercedes luksoz me të cilin udhëtonte Ajas (Ilir) Sulejmani.
Mercedesi G Class u fut me semafor të kuq dhe përplasi çiftin me fëmijën e tyre. Fatmirësisht vogëlushi raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dy prindërit janë më rëndë, por dhe ata në gjendje të stabilizuar.
Shoferi, i cili udhëtonte dhe pa patentë, braktisi mjetin dhe u largua përmes blloqeve të pallateve në zonën e njohur në kryeqytet si “Pallatet e Delijorgjit”. Shërbimet e Policisë u vunë menjëherë në ndjekje të tij, ndërsa në vendngjarje prangosën kushëririn e shoferit.