Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për punë ka penalizuar një pjesë të madhe të invalidëve para dhe tetraplegjikë në Elbasan me heqen e pagesës së paaftësisë.
Gazetarja Entela Duka, informon për Infoweb Media se një pjesë të invalidëve u është hequr pagesa për paketën higjenosanitare e domosdoshme në gjendjen e tyre, ndërsa pjesës tjetër e gjithë pagesa.
Pasi askush nuk dëgjoi ankesat dhe kërkesën e tyre për sqarim nga Ministria e Shëndetësisë, invalidët në Elbasan kanë nisur sot një grevë urie e cila sipas tyre, do të vijojë deri në zgjidhjen e problemit.
Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë kryefamiljarë , ky vendim nuk prek vetëm ata por edhe familjet e tyre. Të dëshpëruar invalidët në Elbasan kërkojnë zgjidhje, duke kërcënuar se në të kundërt do të vetëflijohen.
Në bazë të VKM nr.78 persona të cilët kanë dëmtime definitive, pa perspektivë përmirësimi të gjendjes shëndetësore, deklarohen invalidë të përjetshëm dhe nuk duhet të paraqiten pranë Komisionit Mjekësor Epror.
Mirëpo ky i fundit ka vendosur të ndryshojë rregullat duke dënuar invalidët.