Elisa Spiropali ka reaguar publikisht pasi u largua nga detyra e Ministres së Jashtme me vendim të Kryeministrit Edi Rama. Në një mesazh të gjatë, ajo thekson se përfundimi i një funksioni nuk nënkupton fundin e angazhimit publik.
“Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen,” shprehet Spiropali, duke nënvizuar se politika është një hapësirë ku koha lëviz shpejt, por gjurma personale mbetet.
Ajo e cilëson shërbimin ndaj Shqipërisë si një zgjedhje të vetëdijshme dhe të lidhur ngushtë me orientimin perëndimor të vendit. Sipas saj, nga rilindasit që kërkonin dritë në Europë, te anëtarësimi në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti kombëtar ka qenë gjithmonë pjesë e qytetërimit politik perëndimor.
Spiropali falënderon Partinë Socialiste dhe Kryeministrin për besimin ndër vite, duke theksuar se mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal. Ajo shton se modeli i ndërtuar nga qeveria ka synuar ta zhvendosë Shqipërinë nga tranzicioni drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma dhe përgjegjësi përballë populizmit.
Në reagimin e saj, Spiropali thekson se institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin frymë dhe karakter. Ajo shprehet se në çdo detyrë të mbajtur – si deputete, kryetare Kuvendi apo ministre – ka zgjedhur të jetë “zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë”.
Sipas saj, vendimet politike duhen respektuar si pjesë e një vizioni më të gjerë, ndërsa historia personale nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit.
“Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm,” përfundon Spiropali, duke theksuar se për të mbyllja e një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe përgjegjësi.





