U lye me baltë që të hiqej sikur kishte ndihmuar të prekurit nga përmbytjet, gazetarja pushohet nga puna

0

U lye me baltë përpara lidhjes direkte, që të hiqej sikur kishte ndihmuar të prekurit nga përmbytjet, por gënjeshtra e gazetares gjermane Susanna Ohlen doli në dritë shumë shpejt.

39-vjeçarja u filmua nga një kalimtar teksa bëhej pis me baltë në qytetin e shkatërruar prej vërshimit të ujrave, Bad Munstereifel, në Nord Rajn Vestfalen.

Reporterja u hoq sikur po pastronte duke dhënë ndihmesën e saj për banorët e prekur, por pamjet filmike të postuara në mediet sociale treguan sesi ajo vendosi baltën në fytyrë e rroba përpara se të niste raportimin. E gjendur përballë provave të padiskutueshme, Ohlen e RTL-së kërkoi ndjesë për veprimin e saj, i cili i kushtoi vendin e punës.

Një javë pas përmbytjeve katastrofike që shkatërruan zona të tëra në Gjermani, Belgjikë e Holandë, zyrtarët gjermanë pohuan frikën e tyre se 158 persona që ende rezultojnë të zhdukur në vend mund të mos gjenden kurrë.

Në mbarë kontinentin e vjetër, bilanci i viktimave nga përmbytjet ka mbërritur në të paktën 205, dhe totali i atyre nga të cilët nuk ka ende shenjë, është 176. Në Gjermani, shpresat për të gjetur ndonjë të mbijetuar janë fashitur tashmë. Qeveria federale gjermane ka ofruar një ndihmë emergjente prej 400 milionë eurosh, para këto me të cilat synohet të eleminohen dëmet më të mëdha të ndërtesave dhe të infrastrukturës komunale dhe të kapërcehen nevojat e tjera urgjente.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu