Artur Balla dhe Bledar Lilo, do vijojnë të heton në masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Gjykata e Lartë refuzoi ditën e sotme rekursin ndaj Ballës dhe Lilos, të akuzuar nga SPAK për “pastrim parash”, në kuadër të grupit kriminal për masë më të butë sigurie. Kunati dhe shoferi i biznesmenit të hidrokarburve Rezart Taçit do të qëndrojnë në burg.
Lilo dhe Balla kanë mohuar akuzat që prej arrestimit. Në rekurs, Lilo ka pretenduar se nuk ka lidhje me akuzat, pasi është vetëm shofer. Ndërsa kunati i biznesmenit Rezart Taçi, ka kërkuar masë më të butë sigurie, por të dyja këto kerkesa janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë.
Të dy personat u arrestuan në 12 nëntor të vitit të kaluar për skemën e pastrimit të 18 milionë eurove për llogari të organizatës mafioze “Cosa Nostra”. Ish-biznesmeni i naftës Rezart Taçi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
AKUZAT DHE HETIMET NDAJ REZART TAÇIT:
Prokuroria e Hetimit të Korrupsionit bllokoi një vit më parë llogarinë bankare të Francesco Zummos, një shtetas italian 90-vjeçar. Nga hetimet rezultoi se ai kishte transferuar nga një bankë greke në Tiranë plot 19 milionë euro, origjina e të cilave konsiderohet e paligjshme. Këto para janë transferuar kryesisht në Zvicër. Ai ka bashkëpunuar me Fabio Petruzzellan, shtetas italian dhe D.C., shtetas italo-zviceran në këtë skemë mafioze. Të tre personat në fjalë realizonin pastrimin e parave me ndihmën e kompanive të naftës të Rezart Taçit.