“U trondit gjithë pallati”/ Tërmeti që shkundi Elbasanin mbush rrjetin me panik, qytetarët: Ishte goditje e fortë!

0

Një tjetër tërmet ka rikthyer frikën te qytetarët e Elbasanit pasditen e kësaj të premteje, vetëm pak minuta pasi lëkundjet sizmike u ndjenë në disa qytete të vendit. Sipas të dhënave paraprake, tërmeti kishte magnitudë 3.9 të shkallës Rihter dhe u regjistrua në orën 15:40 me orën lokale.

Epiqendra ishte 6 kilometra në jugperëndim të Elbasanit dhe 32 kilometra në juglindje të Tiranës, ndërsa lëkundjet u ndjenë pothuajse në të gjithë qarkun, por edhe në Tiranë, Durrës, Berat, Kuçovë e zona të tjera.

Banorët në Elbasan raportuan momente paniku, sidomos në pallatet shumëkatëshe. “U trondit gjithë pallati”, shkruan një qytetar vetëm pak sekonda pas lëkundjes, ndërsa të tjerë e përshkruajnë si “një goditje të fortë, por shumë të shkurtër”.

Në Funarë dhe Papër, qytetarët thanë se tërmeti ishte “i fortë por i shkurtër”, ndërsa në Cërrik disa banorë e cilësuan si “të fuqishëm”. Edhe në Tiranë pati reagime të menjëhershme, ku shumë persona deklaruan se e ndjenë lëkundjen në banesa apo zyra.

Disa raportime tregojnë se në zona pranë epiqendrës u dëgjua fillimisht një zhurmë e fortë e më pas tronditja. “Më shumë u ndje zhurma sesa lëkundja”, shkruan një banor nga Elbasani.

Deri tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta.