Pas 3 javësh që rezultonte e zhdukur, shtetasja Leze Qosa është gjetur e pajetë në periferi të qytetit të Shkodrës.
Policia ka nisur hetimet mbi vdekjen e saj të dyshimtë, pasi në trup 37-vjeçarja ka shenja dhune. Trupi i pajetë ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal të Shkodrës dhe do t’i nënshtrohet autopsisë në mënyrë që të zbulohet shkaku i vërtetë i vdekjes së saj.
Kujtojmë se Leze Qosa ishte larguar nga banesa në 8 maj të këtij viti dhe ishte e motra ajo e cila 10 ditë pas zhdukjes së saj vuri në lëvizje policinë.
Policia ka nisur disa kërkime, por pa rezultat, derisa pasditen e 31 majit një telefonatë i dha fund misterit të zhdukjes.
Një banor i zonës i tha Policisë se një person i pajetë ndodhet në një livadh në afërsi të “ByPass”-it të Shkodrës. Menjëherë pas kësaj telefonate, efektivët mbërritën në vendngjarje, duke nisur hetimet. Nga këqyrja e trupit në një kanal në “ByPass”, efektivët konstatuan hematomat në trupin e 37-vjeçares të cilat nuk dihet nëse janë shkak i vdekjes apo janë krijuar nga dekompozimi i avancuar i kufomës.
E gjithë ngjarja ende mbetet enigmatike, ndërsa motra e saj ka deklaruar se e ndjera vuante nga depresioni.