Ukraina kërkon hetim për “ushtarin e torturuar” nga forcat ruse

0

Zyrtarët ukrainas kanë bërë thirrje për hetim pas publikimit të disa videove në mediat sociale, të cilat duket se tregojnë ushtarët rusë që kastrojnë dhe më pas vrasin një të burgosur lufte nga Ukraina. Avokati i Popullit, Dmytro Lubinets tha më 29 korrik se kishte kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të nisë një hetim mbi videot e tmerrshme, të cilat u shfaqën në disa kanale në gjuhën ruse dhe ukrainase të rrjetit të mediave sociale Telegram, një ditë më parë.

Detajet e videos, si ku dhe kur është filmuar, ende nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga burime zyrtare. Radio Evropa e Lirë, e cila ka vendosur të mos e publikojë videon për shkak të përmbajtjes së saj të rëndë, gjithashtu nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë vërtetësinë dhe detajet e videos.

“Kam kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës për të verifikuar faktin dhe të dhënat e një krimi lufte, të shkeljes së Konventës së Gjenevës”, tha Lubinets.

“Gjithashtu, ne po përgatisim një komunikatë për Komitetin e OKB-së kundër Torturës për të organizuar një vizitë urgjente në Federatën Ruse dhe territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës, si dhe në Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor (CPT)”, shtoi ai.

Duke iu referuar videove, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhaylo Podolyak u zotua se Ukraina do të identifikojë “të gjithë” të përfshirët në incident, duke thënë se “mjegulla e luftës nuk do t’i ndihmojë kasapët rusë të shmangin dënimin”.

Zyrtarët rusë ende nuk e kanë komentuar zyrtarisht videon. Prej kur Moska filloi pushtimin e saj të paprovokuar në fund të shkurtit, Ukraina thotë se ka identifikuar mijëra krime lufte të kryera nga trupat ruse.

Hetuesit nga disa vende, si dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare, gjithashtu kanë mbledhur dhe shqyrtuar prova për të përcaktuar nëse janë kryer krime lufte. Rusia thotë se nuk ka shënjestruar qëllimisht civilët në operacionet e saj ushtarake, pavarësisht se ka video dhe prova konkrete që tregojnë shkatërrimin e ndërtesave të banimit, spitaleve, objekteve kulturore dhe objekteve të tjera jo-ushtarake. Ajo gjithashtu ka akuzuar ushtarët ukrainas për kryerjen e krimeve të luftës./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu