Ulsi Manja/ “Bashkimi e dashuronte shumë muajin mars, ndoshta ishte rastësi që Zoti e mori pranë vetes”

0

 

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja është shfaqur i prekur dhe i përlotur në homazhet në nder të deputetit socialist Bashkim Fino. Në një prononcim për mediat nga Pallati i Kongreseve, Manja tha se nga kjo ikje e parakohshme e ish-kryeministrit, i janë prerë krahët.

“Ndoshta ishte rastësi që Zoti e mori pranë vetes, në muajin mars, që ai aq shumë e donte”, tha ndër të tjera Manja.

“Nuk e kam menduar se do të isha sot këtu për ti dhënë lamtumirën e fundit, mikut, kolegut, vëllait tim Bashkim Fino. Bashkim Fino ishte bashkimi, ishte unik në llojin e vetë. La një boshllëk të madh, jo vetëm për familjen e vetë, por në të gjithë jetën politiko-shoqërore.

Ndoshta qe rastësi dhe Zoti vendosi ta marrë pranë vetes Bashkimin pranë vetes në muajin mars dhe Bashkimi e dashuronte shumë muajin mars. Sepse në marsin e zi të 97-ës Bashkim Fino ashtu siç e kishte emrin u bë kryeministri i madh i Pajtimit Kombëtar në ditët më të errtë të kombit.

Mua më ka prerë krahët si kryetari i Komisionit të Ligjeve. E kisha përherë një besim në vetvete sa herë që kisha Bashkimin në krahë, sa herë kisha ato debatet e nxehta politike nuk harroja ta merrja në telefon dhe i thoja “Bashkim nesër të du në Komision vëlla”, ai Bashkimi i mirë, i urtë, fjalëpakë, punëtorë, më besoni Shqipërisë do ti mungojë kryeministri i Pajtimit Kombëtarë, Shqipërisë do ti mungojë një politikan model, mendje mprehtë, nuk i binte fjala në tokë, parlamentit një zë i fuqishëm, PS-së do ti mungojë një copë ADN e veta, Bashkim Fino ishte socialisti dhe qytetari model.

Unë pa diskutim sot bashkohem me dhimbjen e të gjithë kolegëve të mi, familjarëve të Bashkimit të cilët kanë me çfarë krenohen, fëmijët e Bashkimit. Unë besoj ajo karrigia bosh e Bashkim Finos do të na bëjë përherë të reflektojmë dhe për sa kohë të ekzistojë parlamentarizmi në ato salla komisionesh, në atë sallë parlamenti, Bashkim Fino do të jetë i pazëvendësueshëm. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, u shpreh Manja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu