Vazhdojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, arrestohen 13 shoferë

0

Në 48 orët e fundit policia ka vënë në pranga 13 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Njoftohet se në autostradën Levan-Vlorë,  gjatë monitorimit me radar, është konstatuar mjeti tip “Benz”, që drejtohej nga 24-vjeçari A. M., rezident në Itali, me shpejtësi 184 km/h.

I riu u gjobit me 40.000 lekë të rinj. Shpejtësi të mëdha janë konstatuar nga radari edhe në akset rrugore Shkodër-Koplik, Milot-Morinë, Lezhë-Fushë Krujë, Tiranë-Elbasan, Durrës-Kavajë-Lushnjë, Elbasan-Korçë dhe Gjirokastër-Sarandë.

Si rezultat, bëhet e ditur se janë pezulluar 73 leje drejtimi, nga të cilat 44 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 25 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.

Po gjatë 48 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 3456 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Po ashtu, Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga një video e publikuar në rrjet ka identifikuar dhe shoqëruar një të mitur. Nga hetimi rezultoi se 17 vjeçari, ka drejtuar automjetin në mënyrë të parregullt dhe të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës, duke qenë i papajisur me leje drejtimi.

Ndaj 17-vjeçarit filloi procedimi penal për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu