Vdekja e 12-vjeçarit, reagon QSUT: Pacienti ishte diagnostikuar me një sëmundje të rrallë dhe të rrezikshme

0

TIRANË- Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka reaguar lidhur me vdekjen e 12-vjeçarit nga Maliqi ditën e sotme. Në reagimin e tyre për mediat, QSUT i shpreh ngushëllimet familjes së të miturit me inicialet L.S., dhe shprehen se pacienti është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025.

Më tej, thuhet se viktima është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë. Në reagim, përmendet gjithashtu se pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet.

REAGIMI PËR MEDIAT:

QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë.

Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.

Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet.

Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient.

Nga ana tjetër, familjarët jashtë kamerave, kanë thënë se djali i tyre ka qenë i shëndetshëm dhe nuk kishte pasur asnjë problem shëndetësor më parë, duke u marrë edhe me aktivitet sportiv. Ata tregojnë se në fund të dhjetorit, djali kishte shkuar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit, ku ishte trajtuar në reanimacion. Ditën e djeshme, ata e kishin çuar urgjent në Tiranë, ku ishte shtruar në pavionin e Covid-it, ndërkohë që ata kishin kërkuar që ai të ndiqej në reanimacion. Familjarët shpjegojnë se, pasi djali kishte filluar të kishte të vjella të pandërprera, ata e kishin komunikuar këtë me infermieren, por ajo u kishte thënë se “nuk ka mundësi”.

Ata theksojnë se djalin nuk e trajtuan siç duhej, dhe në një moment, ai kishte shtërnguar gjoksin fort. Ata e kishin marrë në krahë për ta çuar tek urgjenca e pediatrisë, por gjatë rrugës djali ka humbur jetën në krahët e tyre. Familjarët thonë se mjekët u kishin komunikuar se djali kishte pësuar arrest kardiak. Ata shprehen se janë të tronditur dhe pyesin nëse është e mundur që një virozë të ketë shkaktuar vdekjen e djalit, pasi ai nuk vuante nga diabeti apo probleme me zemrën. Ata gjithashtu thonë se gjatë ditëve të fundit, niveli i sheqerit në gjak të djalit kishte arritur deri në 200.