Presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev ka ndërruar jetë në Moskë, në moshën 92-vjeçare. Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Gorbaçov ka humbur betejën me një sëmundje të rëndë.
Gorbaçovi, presidenti i fundit sovjetik, lidhi marrëveshje për reduktimin e armëve me Shtetet e Bashkuara dhe partneritete me fuqitë perëndimore për të hequr perden e hekurt që kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe për të sjellë ribashkimin e Gjermanisë.
Kur protestat pro-demokracisë përfshinë vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore komuniste në vitin 1989, ai u përmbajt nga përdorimi i forcës – ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kremlinit që kishin dërguar tanke për të shtypur kryengritjet në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968. Por protestat nxitën aspiratat për autonomi në 15 republikat e Bashkimit Sovjetik, të cilat u shpërbënë gjatë dy viteve të ardhshme në mënyrë kaotike. Gorbaçovi u përpoq më kot për të parandaluar atë kolaps.
Pasi u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985, vetëm 54 vjeç, ai kishte vendosur të rigjallëronte sistemin duke futur liri të kufizuara politike dhe ekonomike, por reformat e tij dolën jashtë kontrollit. Politika e tij e ‘glasnost’ – liria e fjalës – lejoi kritika të paimagjinueshme më parë ndaj partisë dhe shtetit, por gjithashtu inkurajoi nacionalistët që filluan të bëjnë presion për pavarësi në republikat baltike të Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe gjetkë. Shumë rusë nuk e falën kurrë Gorbaçovin për turbulencat që shkaktuan reformat e tij, duke e konsideruar rënien e mëvonshme të standardeve të tyre të jetesës një çmim shumë të lartë për të paguar për demokracinë.