Veshja e strukturës e nisur prej 4 vitesh, Bashkia e Durrësit anulon tenderin për projektin “Veliera”

0

Bashkia e Durrësit ka anulluar tenderin për projektin “Veliera”, procedurat e të cilit i hapi në muajin tetor dhe më 8 nëntor pritej të shpallej firma fituese që do të realizonte punimet për “Fazën e katërt të sheshit publik para hyrjes së portit Durrës”.

Në dosjen e tenderit, siguruar nga “FaxNews”, thuhet se bashkia e ka anulluar atë për arsye se “dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.

Nuk dihet se cilat janë gabimet apo mangësitë e rëndësishme në dokumentet e tenderit, pasi ato nuk specifikohen në njoftimin e bashkisë.

Faza e katërt e punimeve tek “Veliera” pritej të zgjaste 1 vit, duke e shtyrë kështu edhe më shumë kohën e përfundimit të këtij projekti që është shoqëruar me kontestime të shumta, që në nisje të tij.

Për rreth një vit punimet u ndërprenë, sepse Shoqëria Civile paditi në gjykatë disa institucione qendrore dhe vendore, ndërsa kundërshtonte ngritjen e kësaj vepre sipër zbulimeve arkeologjike dhe historike që dolën në pah gjatë gërmimeve.

Tenderi për fazën e katërt të punimeve tek “Veliera” kishte vlerë 248 milionë lekë të reja ose rreth 2.5 miliardë lekë të vjetër dhe fondi do të përdorej për mbulesën përfundimtare të tendës, pra për realizimin e veshjes së sipërme të strukturës.

E nisur më shumë se 4 vite më parë, “Veliera” ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që majin e vitit 2020 ajo kërkoi një fond shtesë prej 850 milionë lekë, e cila u shpjegua si shtesë kontrate.

Fondi në fjalë u akordua kur qyteti bregdetar kishte ende shumë plagë të hapura nga lëkundja sizmike e datës 26 nëntor 2019, që shkaktoi dëme kolosale në Durrës.

Projekti “Veliera” është përllogaritur të kushtojë rreth 6 milionë euro, por deri në përfundim të tij nuk dihet cila do të jetë kostoja reale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu