VIDEO/Deklaratat e familjarëve të Mond Mëhallës nuk mjaftojnë: Xhino Ago dhe Kujtim Pisha mbeten në qeli

0
Screenshot

Deklaratat e familjarëve nuk mjaftojnë: Ago dhe Pisha mbeten në qeli

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Xhino Agon dhe Kujtim Pishën, të dy të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla. Pavarësisht deklaratave të familjarëve të viktimës, të cilët kanë nënshkruar se nuk kanë dyshime ndaj tyre, gjyqtari Elis Dine nuk ka pranuar kërkesën për një masë më të lehtë sigurie.

Sipas burimeve nga seanca, Ago ish-ortak i Mëhallës paraqiti deklaratë të firmosur nga motra dhe vëllai i viktimës, ndërsa Pisha nga kunati i Mëhallës, i cili është edhe menaxher i karburantit “Xhaxhi Oil”. Të dy të dyshuarit kanë mohuar kategorikisht përfshirjen në ngjarje.

Në lidhje me Agon, prokuroria ka përfshirë si provë automjetin “Audi”, të regjistruar në emër të kompanisë. Nga ana e tij, Ago ka sqaruar se automjeti ishte dhënë me kontratë përdorimi, në kuadër të procesit të zëvendësimit të mjeteve të karburantit me mjete elektrike.

Ndërkohë Kujtim Pisha akuzohet për moskallëzim krimi. Ai ka deklaruar para gjykatës se në momentin e të shtënave ndodhej në punë, duke ngrënë drekë, dhe se njoftimin e parë e kishte marrë nga nëna e viktimës, e cila jeton pranë karburantit dhe e telefonoi për të parë çfarë kishte ndodhur.

Ndërkohë, policia e Elbasanit vijon kërkimet për dy personat e tjerë të shpallur në kërkim: Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç, me të cilët dyshohet se viktima ka pasur konflikte të mëparshme të lidhura me çështje droge. I arrestuari i tretë, Nevzat Spaho, 29 vjeç, pritet të dalë për masën e sigurisë në fundjavë.