VIDEO/ Elbasan, pezullohen seancat gjyqësore pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja

0

Edhe në Elbasan, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm ka pezulluar zhvillimin e seancave gjyqësore në shenjë solidariteti dhe nderimi për gjyqtarin e ndjerë të Apelit, Astrit Kalaja, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike një ditë më pare teksa u ekzekutua nw sallwn e gjyqit.Pezullimi përfshin të gjitha seancat e planifikuara për datat 7 dhe 8 tetor 2025, me përjashtim të atyre me karakter urgjent që lidhen me masat e sigurimit. Në njoftimin zyrtar të gjykatës theksohet se vendimi është marrë për të mundësuar pjesëmarrjen e trupës gjyqësore në homazhet që do të zhvillohen në nder të kujtimit të gjyqtarit Kalaja.

Përveç këtij vendimi, në ambientet e gjykatës në Elbasan është vërejtur sot një prezencë e shtuar e forcave të policisë, në kuadër të masave të sigurisë.

Ndërkohë, një natë më parë, trupa gjyqësore e kësaj gjykate ka reaguar publikisht përmes një deklarate për median, ku shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen e rëndë që i mori jetën gjyqtarit të Apelit. Në deklaratë, ngjarja cilësohet si një këmbanë alarmi për sigurinë e gjyqtarëve dhe institucionit të drejtësisë në tërësi.