Marsel Cani vendosi dy vite më parë të linte emigracionin dhe të kthehej në vendlindje, në fshatin Jagodinë të Elbasanit, për t’iu përkushtuar bujqësisë. Me shpresën për të ndërtuar jetën pranë familjes dhe për të investuar në tokën e tij, ai ngriti sera, duke besuar se puna në bujqësi do t’i siguronte të ardhura të qëndrueshme.
Por sot, Marseli shprehet i zhgënjyer. Rënia e ndjeshme e çmimeve të frutave dhe perimeve në treg, sipas tij, po i vë fermerët në vështirësi serioze ekonomike. Aktualisht, çmimi i kastravecit, kulturë me të cilën fermeri ka mbjellë serat, ka pësuar një rënie të ndjeshme.
Fermeri nga Jagodina thotë se sot më shumë përfitojnë tregtarët sesa vetë prodhuesit, ndërsa apelon për më shumë mbështetje dhe politika konkrete për fermerët shqiptarë.
Zona e Jagodinës konsiderohet një ndër zonat më prodhuese të kulturave bujqësore në qarkun e Elbasanit, ku dhjetëra familje jetojnë falë punës në sera dhe bujqësi.





