Në prag të diplomimit, nxënësit e degës së pikturës në shkollën artistike “Onufri” kanë sjellë një ekspozitë të veçantë, ku talenti, emocionet dhe identiteti artistik marrin jetë përmes telajos. Punimet më të mira të ciklit trevjeçar u prezantuan në një ekspozitë të larmishme, ku portrete, peizazhe dhe kompozime artistike përcollën botën e brendshme dhe mesazhet e secilit të ri.Përmes ngjyrave dhe formave, të rinjtë artistë treguan jo vetëm aftësitë e fituara gjatë viteve të shkollimit, por edhe mënyrën sesi e shohin jetën, emocionet dhe realitetin që i rrethon.
Profesori i pikturës u shpreh se çdo brez sjell një frymë të re krijuese dhe një mënyrë unike të të shprehurit në art.
Mes punimeve të ekspozuara ishte edhe krijimtaria e Borës, e cila e cilëson këtë rrugëtim si një përvojë që e ka rritur profesionalisht dhe artistikisht.
Ndërsa për Franceska Shinplakun, arti është mënyra më e sinqertë për të shprehur emocionet.
Ekspozita e nxënësve të “Onufrit” solli jo vetëm punime artistike, por edhe mesazhin se arti mbetet një zë i fortë i të rinjve, një mënyrë për të komunikuar ndjenjat, ëndrrat dhe shpresat e tyre përmes krijimtarisë.





