Mungesa e mjekëve specialistë në Spitalin Bashkiak të Gramshit vijon të mbetet një problem serioz për banorët e këtij rrethi, duke sjellë vështirësi si në shërbimet shëndetësore, ashtu edhe në aspektin social.
Prej vitesh, në këtë spital mungojnë tetë mjekë specialistë. Aktualisht, shërbimi mbulohet nga vetëm pesë mjekë, ndërsa tre prej tyre janë në moshë pensioni.
Banorët thonë se shqetësimi është ngritur disa herë pranë institucioneve përgjegjëse, por sipas tyre, Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë masa konkrete për zgjidhjen e situatës.
Më të prekur nga kjo situatë janë të moshuarit dhe pensionistët, të cilët shprehen se udhëtimet jashtë qytetit për shërbime bazë shëndetësore janë të papërballueshme.
Për kontrolle të thjeshta shëndetësore, si vizitat kardiologjike apo ekzaminimet EKO, qytetarët detyrohen të udhëtojnë drejt spitalit të Elbasanit.





