Shqipëria vijon të përballet me një trashëgimi të rëndë të kimikateve të rrezikshme dhe metaleve të rënda, të depozituara për dekada në zona industriale, minerare dhe bujqësore. Elbasani dhe kompleksi metalurgjik përmendet si një ndër zonat më problematike, ku janë depozituar mbetje të ndryshme , të cilat kanë ndotur ndjeshëm cilësinë e ajrit,ujërave dhe sipërfaqën tokësore.
Liljana Dedja, banore e kësaj zone që prej vitit 1997, rrëfen se prej afro tri dekadash është detyruar të bashkëjetojë me ndotjen e rëndë industriale dhe kërcënimin e vazhdueshëm për jetën. Gjatë këtyre viteve, shumë banorë kanë humbur jetën nga sëmundje të rënda, kryesisht tumore, ndërsa sot, edhe fëmijët janë të prekur nga e njëjta fatkeqësi.
Ndërkohë, 24-vjeçari Samuel Dedja jeton prej një dekade në Gjermani. Ai pohon se një ndër arsyet kryesore që e shtyu të emigronte ishte ndotja e rëndë mjedisore në zonën ku është rritur. I shqetësuar për pasojat afatgjata të saj, ai shprehet se dëshiron të tërheqë edhe familjen pranë tij.
Ekspertët paralajmërojnë se këto pika përfaqësojnë një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe sigurinë mjedisore, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme institucionale.
Infoweb Media





