VIDEO/Peshëngritja kundër ligjit të shpërblimeve, Ertjan Kofsha dhe Leonard Toska mesazh qeverisë shqiptare

0
Screenshot

 

Ndryshimet e fundit në ligjin për shpërblimin e sportistëve elitarë kanë ngjallur reagime të forta në komunitetin e peshëngritjes. Heqja e shpërblimeve për rezultatet në disiplina të veçanta, si shtytja dhe shkëputja, penalizon drejtpërdrejt sportistët e kësaj disipline, pasi tashmë shpërblimi financiar parashikohet vetëm për rezultatin total në dygarësh.

Për një nga emrat më premtues të peshëngritjes shqiptare, Ertjan Kofsha, dhe trajnerin e tij në ekipin e Shtërmenit, Leonard Toska, kjo ndërhyrje ligjore rrezikon jo vetëm perspektivën e tyre sportive, por edhe motivimin e brezit të ri që aspiron këtë sport.

Trajneri Leonard Toska, i cili prej më shumë se dy dekadash përgatit sportistë me rezultate të spikatura në arenën ndërkombëtare, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama për rishikimin e këtij vendimi.

Ndërkohë, për Ertjan Kofshën, shqetësimeve mbi shpërblimet u është shtuar edhe përjashtimi nga lista e sportistëve që përfitojnë bursë olimpike.

Peshëngritësit kërkojnë rishikimin urgjent të ligjit, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikohet seriozisht e ardhmja e kësaj disipline në Shqipëri.

Infoweb Media