ITALI– Pamjet e mëposhtme tregojnë momentin e një aksidenti të ndodhur në Forlì të Italisë, ku ka mbetur i lënduar rëndë një 27-vjeçar shqiptar. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të dielës përpara një diskoteke.
Siç raportojnë mediat, mes grupit që po qëndronte shqiptari dhe atyre të italianëve ka pasur një konflikt që ka nisur gjatë qëndrimit në klubin e natës, me shumë mundësi për shkak të një vajze. Për këtë arsye, ata u nxorrën jashtë nga rojet e sigurisë. Por edhe këtu ka vazhduar sherri mes dy grupeve, deri në momentin kur 20-vjeçari italian mori makinën dhe aksidentoi shqiptarin me mjetin e tij tip “BMW”.
Dëshmitarët e ngjarjes kanë kapur gjithë skenën, ku dëgjohen sharjet dhe ofendimet e shokëve të 27-vjeçarit shqiptar, ndërkohë i riu qëndron i shtrirë në mes të rrugës. 20-vjeçari është vënë në pranga dhe ndodhet në qeli, ndërsa 27-vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.