Ka hyrë në ditën e saj të dytë protesta e pedagogëve në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në ndryshim nga një ditë më parë ku pedagogët protestuan në fakultetet respektive sot ata u mblodhën në korpusin qendror ku edhe një herë tjetër pohuan se protestojnë për dinjitetin e tyre.
Me të shkuar ora 10-të stafet akademike në Elbasan nisën protestën e tyre. Edhe pas numri i pjesmarrësve në protestë ishte i ulët krahasur me numrin real të tyre në auditore ata pohuan se pjesa dërrmuese e kolegëve janë solidarizuar duke bojkotuar prej dy ditësh mësimin. Përfaqësuesi nga Sindikata e punonjesve te universiteteve shqiptare Altin Idrizi pohoi se rritja që qeveria u garantoi prej 7% nuk ishte gjë tjetër veçse një lëmoshë, ndaj ata nuk do të ndalen në të drejtën e tyre.
Ndërkohë Përgjegjësi i Departamentit të Informatikës Elior Vila e vuri theksin te fakti se pagat nuk janë thjesht mirëqenie, por vijimsi në fushën e edukimit, duke paralajmëruar një të nesërme pa pedagog në auditore.
Pedagogët e Elbasanit konfirmojnë se nesër dhe në vijim do të vijojnë bojkotin deri në plotësimin e kërkesave të tyre.