Në zemër të Elbasanit, aty ku gërshetohet historia me shpirtin krijues, u ndez për dy netë radhazi magjia e tingujve klasikë. Koncerti “Virtuozët” solli emocione të rralla në Muzeun Etnografik dhe më pas në Galerinë e Artit, në Kullën e Kalasë ,dy vende të mbushura me frymë identitare dhe jehonë shekujsh.
Programi përfshiu perla muzikore të kompozitorëve më të mëdhenj botërorë, të interpretuara me pasion dhe përkushtim nga disa prej instrumentistëve më të vlerësuar të Elbasanit.Drejtor i Qendrës së Artit Elbasan pohoi se “Virtuozët”shënoi çeljen zyrtare te sezonit artistik veror në qytet.
Violinisti i njohur elbasanas Zeqir Sulkuqi vlerësoi rritjen e ndjeshme të aktiviteteve kulturore në qytet, duke nënvizuar se zhvillimi i koncerteve në monumente historike i jep artit një kuptim të ri.
“Virtuozët” nuk i emocionoi vetëm elbasanasit. Në sallë nuk munguan as turistët e huaj, që e përjetuan koncertin si një eksperiencë të papërsëritshme.
“Ky është një vend shumë i bukur. Erdha me gjyshin tim që jeton këtu, dhe ishte një mundësi e jashtëzakonshme të dëgjoja njërin nga violinistët më të mirë në Shqipëri. Është hera ime e dytë në Elbasan, por hera e parë që ndjek një koncert këtu, dhe jam shumë e lumtur. Ky vend ka një akustikë të mrekullueshme dhe tingulli i muzikës këtu merr një dimension krejt tjetër.”
Në netët që vijnë, qyteti pritet të pulsojë nën ritmet e artit dhe kulturës, duke e kthyer çdo hapësirë publike e monumentale në skenë të emocioneve të veçanta për qytetarët dhe vizitorët./Infoweb Media





