Një vaksinë universale që synon të mbrojë nga ftohja e zakonshme, gripi, Covid-19 dhe madje edhe alergjitë, është një hap më afër realizimit, sipas studiuesve në Stanford Medicine në SHBA.
Studimi, i publikuar në Science, është kryer te minjtë dhe tregon se një vaksinë e administruar si sprej nazal ofroi mbrojtje të gjerë në mushkëri për disa muaj. Sipas autorëve, ajo mbrojti kundër Covid-19 dhe koronaviruseve të tjera, si dhe kundër baktereve si Staphylococcus aureus dhe Acinetobacter baumannii, si edhe ndaj marimangave të pluhurit shtëpiak, një shkaktar i zakonshëm i alergjive.
Vaksina, e quajtur GLA-3M-052-LS+OVA, nuk imiton një patogjen specifik, si vaksinat tradicionale, por sinjalet që qelizat imune përdorin për të komunikuar gjatë një infeksioni. Kjo qasje synon të aktivizojë një mbrojtje më të gjerë imunitare në mushkëri.
Autori kryesor i studimit, Bali Pulendran, drejtor i Institutit për Imunitet, Transplantim dhe Infeksion në Stanford Medicine, u shpreh se një sprej i tillë nazal, i marrë në vjeshtë, mund të mbrojë nga viruset kryesore të frymëmarrjes, përfshirë Covid-19, gripin dhe virusin sincicial të frymëmarrjes, si dhe nga pneumonitë bakteriale dhe alergjenët sezonalë.
Sipas tij, nëse rezultatet përkthehen te njerëzit, dy doza mund të jenë të mjaftueshme për mbrojtje, ndërsa me financim të mjaftueshëm vaksina mund të jetë e disponueshme brenda pesë deri në shtatë vjetësh. Hapi i radhës pritet të jetë një provë sigurie te njerëzit, e ndjekur nga studime më të gjera klinike.
Edhe ekspertë të pavarur e cilësojnë qasjen si premtuese, por theksojnë se ajo është ende në fazat e para dhe duhet të kalojë testime të plota klinike për të vërtetuar sigurinë dhe efektivitetin te njerëzit.





