Nga Arben Boriçi
Elbasan, janar 2026
Stafi mjekësor dhe administrativ i Spitalit Rajonal të Elbasanit, ashtu si në institucione të tjera shëndetësore në mbarë vendin, vijon të mos ketë marrë ende pagat e muajit dhjetor 2025.
Sipas punonjësve të shëndetësisë, kjo nuk është hera e parë që përballen me vonesa në pagesa, pavarësisht se legjislacioni parashikon që pagat të kalojnë në llogaritë bankare deri në datën 5 të çdo muaji. Situata ka shkaktuar shqetësim mes mjekëve, infermierëve dhe stafit administrativ, të cilët ndodhen në pritje të një vendimi nga Ministria e Shëndetësisë për alokimin e fondeve përmes buxhetit të ri.
Sipas tyre, miratimi dhe shpërndarja e fondeve do të mundësonte më pas kalimin e pagesave të prapambetura për stafet mjekësore dhe administrative.
Megjithatë, pavarësisht pasigurisë financiare dhe vonesave të përsëritura, mjekët dhe infermierët vijojnë të kryejnë detyrën e tyre pa ndërprerje. Shërbimi shëndetësor në Spitalin Rajonal të Elbasanit, si edhe në spitalet bashkiake të Librazhdit dhe Gramshit, po zhvillohet normalisht.





