Vrasja e Endrit Dylgjeri (Alibej), xhaxhait Arben Dylgjeri dhe turkut Erald Durunaj, Prokuroria Elbasan zbulon 3 ekzekutorët dhe dy porositësit. Lëshohet urdhër arresti

0

Vranë “Tarzanin” dhe 2 të tjerë për 50 kg kokainë, zbulohen porositësit dhe ekzekutorët

Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 5 urdhër arreste lidhur me ekzekutimin e tre personave, Endrit Dylgjeri(Alibej), xhaxhait të tij Arben Dylgjeri si dhe turkut Erald Durunaj të ndodhur në 28 dhjetor të vitit 2018 në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit. Burime bëjnë me dije për gazetaren Glidona Daci për abcnews.al se janë lëshuar urdhër-arreste për 3 ekzekutorët dhe 2 porositësit e vrasjes së trefishte, e cila sipas hetimeve e ka zanafillën në 50 kg kokainë të humbura në Britaninë e Madhe.

Sipas të dhënave vrasja e tyre është porositur nga dy vëllezër që jetonin asokohe në Britani. Ndërsa mësohet se gjithçka ka nisur pasi në vitin 2017 në Londër një i ri nga Elbasani po transportonte 50 kg kokainë për llogari të dy porositësve. Gjatë transportit ai i ka thënë atyre se është grabitur nga disa persona në rrugët e Londrës.

Ai është marrë peng për disa orë nga disa persona, të cilët e kishin urdhëruar të bënin transportin e lëndës narkotike, ndërsa dyshonin se kishte rënë pre e grabitjes së vëllezërve Erjon dhe Endrit Alibej dhe anëtarëve të grupit të tyre.

Për t’u hakmarrë më pas ata kanë porositur ekzekutimin e Endrit Alibejt të njohur ndryshe si “Tarzani” i Elbasanit duke pajtuar disa persona që ishin pjesë e një grupi të fuqishëm në fushën e grabitjeve në Shqipëri, anëtarët e të cilit janë arrestuar ose shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Në 28 dhjetor 2018, Alibej po udhëtonte bashkë me xhaxhanë e tij Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erald Durunaj në Land Roverin me targa rumune dhe të tre u ekzekutuan nga autorët.

Organi i akuzës tashmë ka në dorë prova të forta që faktojnë këto akuza, përfshirë këtu përgjime ambientale që dokumentojnë ekzekutimin e ndodhur në 28 dhjetor 2018. Në makinën e autorëve kanë qenë tre persona, dy prej të cilëve kanë qëlluar ndërsa tjetri ka drejtuar automjetin Mercedez Benz. Abcnews.al disponon emrat e personave që u është prerë fletë arresti në lidhje me këtë ngjarje, por për shkak të hetimit nuk i bën me dije ato.

Vëllai i Endrit Alibejt, Erion Alibej është arrestuar nga policia me akuzën e porositjes dhe organizimit të vrasjes së 2 personave në Korrik, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Ai është i dyshuar kryesor edhe për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës të ndodhur pranë vendit ku u vra vëllai i tij.abcnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu