PEQIN- I dënuari me 25 vite burg për vrasje, Engjëll Kol Ucaj është gjetur i vetëvarur në dhomën e tij. Ucaj është dënuar me burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Ucaj ishte pranuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin më 20 qershor 2023. Ucaj pasi u gjet nga punonjësit e policisë i vetëvarur, u dërgua në urgjencën e spitalit të Peqinit por nuk arriti të mbijetojë.
Mbrëmjen e 30 janarit 2013, Ucaj ka ekzekutuar me armë zjarri të birin Sokol Ucaj dhe gruan e tij italiane Giulia Baltassari. 67-vjeçari ka deklaruar në polici se i biri i dhunonte dhe i kërkonte shpesh para.
Natën e krimit ata ishin grindur dhe ishin thirrur në polici. Por pas kthimit në shtëpi, i biri ka nisur të dhunojë sërish të atin, për faktin se ishte “ankuar” në polici.
Ndërkohë dhe nëna e viktimës, Rajmonda Ucaj ka deklaruar në polici se shkak i grindjeve të vazhdueshme mes të birit dhe të atit ishin paratë. Ajo ka deklaruar se i biri dhunonte të atin nëse nuk i jepte para, duke hedhur dhe dyshime se ai mund të përdorte drogë.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:
Është gjendur i varur në dhomën e tij i dënuari Engjëll Kol Ucaj, i lindur më 20 shkurt 1946 në Krujë dhe banues në Elbasan. Ucaj, i dënuar me 25 vite burg për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje,” sipas neneve 79/dh dhe 278/2 të Kodit Penal, ishte pranuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin më 20 qershor 2023.
Pas gjetjes së tij nga punonjësit e policisë, Ucaj u transportua menjëherë në urgjencën e spitalit të Peqinit, ku, pas përpjekjeve të mjekëve nuk artiti tja dalë. Ky i dënuar ishte përgjegjës për vrasjen e djalit të tij 27-vjeçar dhe bashkëshortes së tij shtatzënë. Nga ana e IEVP-së Peqin janë vënë në dijeni autoritetet përkatëse për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.