Banorët e Zavalinës në bashkinë Elbasan dita-ditës po vdesin të vetmuar e të harruar mes malesh.Dikur ky fshat numëronte më shumë se 1000 banorë ndërsa sot nuk ka mbëtur as gjysma. Me lot në sy nënat shprehen se i ka djegur malli për fëmijët që kanë në emigrim e nuk i shohin prej vitesh pasi janë detyruar të largohen për arsye ekonomike.
Duke qenë se të rinjtë janë larguar prej kohësh ata që kanë një dyqan thonë se e hapin vetëm dy herë në javë pasi fuqi blerëse nuk ka dhe ata që kanë mbetur në Zavalinë janë të moshuar e nuk kanë para.
Dikur shkolla e fshatit gumëzhinte nga zërat e fëmijëve ndërsa sot ka pllakosur heshtja. Mungesa e investimit në infrastrukturë dhe sidomos në rrugën e vetme që përdorin të paktën 3 fshatra i ka detyruar banorët të largohen duke e lënë këtë fshat me bukuri të rralla natyrore të vdesë në heshtje.