Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një grua në vendin e tij të punës, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës në të cilën gjenden të gjitha detajet se si ka ndodhur rasti. 23-vjeçarja po qëndronte në spital me vajzën e saj 6 muajshe, e cila kishte komplikime shëndetësore, ndërsa ish ministri i Shëndetësisë, me dashje e në cilësi të profesionit shëndetësor duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të 23-vjeçares filloi ta ngacmoi seksualisht.
Më konkretisht, 23-vjeçarja është shprehur se:
“Më kapi dorën e djathtë në krah dhe më futi brenda. E mbylli derën me çelës dhe e ndali dritën. Tentoi të më puthë me zor e të më prekë me duar edhe në shpinë, por nuk arriti sepse nuk e lejoja duke e shtyrë. Kur i kërkova ta hapë derën, sepse do ta thërras sigurimin, më tha “vetëm po dua me ta matë pulsin”.
Në aktakuzë thuhet se:
“Mbrëmjen e 12 gushtit të këtij viti, rreth orës 22:00, Numan Baliq në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj. I pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda, e mbyll derën me çelës dhe e ndalë rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën te muri ku i kërkon asaj që ta prekë dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por që viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja dhe hapë derën dhe largohet me ç’rast kthehet në dhomën numër 5 dhe nga dritarja kërkon ndihmë te roja i sigurimit, më pas raporton rastin në Polici.”