LUSHNJË – Policia ka zbardhur zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve në lagjen Xhevdet Nepravishta, duke arrestuar një 48-vjeçar të dyshuar si autor të ngjarjes që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është Klodian Çina, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim dhe u kap pas një operacioni të përbashkët mes policisë së Lushnjës dhe asaj të Durrësit.
Hetimet dyshojnë se ngjarja ka ndodhur në orët e para të datës 19 maj 2026, kur i dyshuari i ka vënë zjarrin tregut dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke u fshehur në qytetin e Durrësit.
Gjithashtu, sipas burimeve hetimore, 48-vjeçari dyshohet se më herët ka vjedhur një biçikletë në Lushnjë, të cilën e ka përdorur për lëvizje në qytet. Mjeti është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se pranë tij ka qenë edhe një person tjetër në momentin e ngjarjes, por deri tani nuk ka prova që e implikojnë atë në zjarrvënie.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e çdo personi tjetër të mundshëm të përfshirë.





