Partitë politike nuk arritën në një dakordësi për të implementuar votimin elektronik në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, megjithatë detyrimi ligjor ka bërë që KQZ të propozojë tri variante që do të kërkojnë firmën e komisionit rregullator.
Varianti i parë propozon votimin dhe numërimin elektronik në 5 njësi të kryeqytetit dhe në Vorë. Bëhet fjalë për njësitë 1,3,5,8 dhe 9 ndërsa i njëjti proces do të ndiqet edhe në zonën e Bërxullit, Prezës dhe Vorës.
Varianti i dytë përmban në draft zhvillimin e këtij procesi në njësitë 2,3,5,9 dhe 10 në Tiranë ndërsa zona e Vorës mbetet e njëjtë.
Varianti i tretë nuk përmban vetëm Tiranën por edhe qytetin e Durrësit. Në shkresë kërkohet që votimi elektronik të zhvillohet vetëm në njësitë 5 dhe 10 ndërsa në Durrës të përfshihet nga rajoni 1 deri në rajonin 5. Zona e Vorës edhe në variantin e 3-të mbetet i njëjtë.
Në çdo qendër votimi në të gjitha rastet do të përdoren dy pajisje të votimit dhe numërimit elektronik.
Do të jenë 5 anëtarët e komisionit rregullator ata që do të japin fjalën e fundit se cili nga këto drafte do të jetë fituesi ndërsa kërkohet një shumicë votash 4 me 1.
Më herët KQZ propozoi qytetin e Durrësit për të implementuar votimin elektronik por të gjitha partitë përpos demokratëve kërkonin Tiranën. Për shkak të refuzimin nga PD, ky proces mbeti pezull, ç’ka solli tri variante për t’a përfshirë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.