Elbasan, 21 tetor 2025 — Ish-deputetja e Partisë Demokratike në Elbasan, Zheni Gjergji, ka konfirmuar zyrtarisht se ka marrë detyrën si drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan. Lajmin ajo e bëri publik përmes një postimi në rrjetin e saj Facebook, duke i dhënë fund zërave që qarkullonin prej ditësh në qytet.
Në postimin e saj, Gjergji thekson se kjo është një zgjedhje profesionale, jo politike, dhe se synimi i saj kryesor është përmirësimi i shërbimit shëndetësor për qytetarët e Elbasanit.
“Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion”, shkruan ajo.
Ajo shprehet se ndjen përgjegjësi dhe përulësi për detyrën e re, duke theksuar se Elbasani është vendi ku ka ndërtuar identitetin e saj profesional dhe ku dëshiron të kontribuojë më shumë.
“Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri”, shton Gjergji.
Në fund të mesazhit, ajo falënderon për besimin e dhënë dhe premton angazhim të plotë “në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor.”
Emërimi i Zheni Gjergjit shihet si një lëvizje me peshë në drejtimin e institucioneve shëndetësore të qarkut, ndërsa pritet me interes mënyra se si do të menaxhojë një nga spitalet më të mëdha të vendit.
— Infoweb Media





