Nga Entela Duka
Rihapen hetimet për zhdukjen e këngëtarit të Tallavasë, Renato Hamzës. Burimet bëjnë të ditur se rreth orëve të parë të mëngjesit të djeshëm një grup prej 25 punonjësish të policisë dhe specialistëve të krimeve dhe mjekësisë ligjore, kanë kryer zhvarrosjen e një kufome që mbetet ende i paidentifikuar.
Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet një enigmë edhe sot.
Pasi është njohur me këtë fakt nga media nëna e Renato Hamzës nuk i ndal lotët. Ajo i ka të shumta kritikat për policinë e shtetit dhe zbulon detaje tronditëse teksa pohon se më herët është vënë në dijeni për ekzistencën e kufomës pa identitet dhe pavarësisht se ka bërë dy herë ADN i kanë thënë se nuk është djali i saj.
Ka dyshime se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer. Por nëna e tij Silvana vijon të këmbëngulë se gisht në zhdukjen e djalit të saj ka ish e dashura.
Renato Hamza ka humbur kontaktet me familjen rreth 9 vite më parë.Prej asaj dite këngëtari, i njohur ndryshe me pseudonimin “Reni i Elbasanit” nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e tij, nga momenti kur një telefonatë misterioze e nxori nga shtëpia ku jetonte me prindërit dhe bashkëshorten 9-muajshe shtatzënë.