Zjarri në Landfillin e Elbasanit vijon edhe në mesditë ,reagimi zyrtar mungon

0
Screenshot

 

Zjarri që shpërtheu në fushën e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit vazhdon të jetë aktiv në thellësi të gjithë sipërfaqes edhe në orët e mesditës së sotme. Ndonëse nga sipërfaqja duken më pak flakë, shtëllunga të mëdha tymi vijojnë të ngrihen, veçanërisht në pjesën perëndimore por edhe afër zonës qëndrore të landfillit, duke shkaktuar shqetësim për banorët dhe rrezik për mjedisin.Autoritetet kanë ndërhyrë deri në mesditë me hedhjen e 10.500 metra kub dhera mbi zonën e prekur, për të kufizuar përhapjen e flakëve dhe për të izoluar zjarret nën sipërfaqe. Megjithatë, zjarri mbetet aktiv në shtresat e brendshme të mbetjeve, çka e bën të vështirë kontrollin e plotë të situatës.Situata u inspektua në mesditë nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja. Të dy zyrtarët zgjodhën të mos japin deklarata për median, duke shmangur komentet mbi shkakun e zjarrit, masat e marra dhe ndikimin e mundshëm në shëndetin publik apo mjedis.Ndërkohë, mungesa e informacionit zyrtar ka shtuar shqetësimin e komunitetit lokal, veçanërisht për ndotjen e ajrit dhe rrezikun ndaj zonave përreth. Ende nuk dihet nëse ekziston një plan i detajuar për shuarjen e plotë të vatrës, apo për shmangien e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.Ky incident i rikthen edhe njëherë në vëmendje problematikën e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe sigurisë në pikat e grumbullimit, një çështje e përsëritur në shumë qytete të vendit. Ndërkohë që qytetarët kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi, autoritetet duket se zgjedhin të heshtin.