Vijon të jetë shqetësuese situata nga helmimi i ushqimit në Gramsh, ku raportohet se 14 fëmijë janë infektuar me salmonelë.
Media ka publikuar një email zyrtar nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor(NJVKSH) në Gramsh, ku konfirmohet përhapja e infeksionit me ‘Salmonella Enteritidis’ në Kopshtin Nr. 1 të qytetit.
Deri tani janë identifikuar 14 raste pozitive mes fëmijëve dhe stafit, ndërsa strukturat shëndetësore lokale janë udhëzuar të tregojnë kujdes të shtuar për parandalimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të situatës.
NJVKSH i bën thirrje të gjitha qendrave shëndetësore dhe Spitalit Bashkiak për bashkëpunim të ngushtë dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar.
Njoftimi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gramsh:
Ditët e fundit, në Kopshtin Nr. 1 në qytet janë paraqitur disa raste të fëmijëve me simptoma gastrointestinale (diarre, temperaturë, të vjella, dobësi). Janë marrë masa të menjëhershme për hetimin dhe menaxhimin e situatës nga strukturat përkatëse dhe po vijojnë analizat laboratorike për të përcaktuar shkakun.
Nga 79 persona të depistuar (fëmijë dhe staf), janë identifikuar 14 raste me Salmonella Enteritidis. Prej tyre, 5 raste janë zbuluar nga mostrat për diagnozë dhe 9 raste nga depistimi. Nga 72 ekzaminime të bëra për depistim, 53 kanë rezultuar negativë, 6 nuk kanë pasur rritje bakteriale, dhe 6 janë në pritje të rezultatit. Në këtë kuadër, kërkojmë vigjilencë të shtuar nga të gjitha Qendrat Shëndetësore për:
Vëzhgimin dhe identifikimin e fëmijëve me simptoma të ngjashme.
Raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar pranë NJVKSH Gramsh.
Ndjekjen nga afër të gjendjes shëndetësore të fëmijëve të Kopshtit Nr. 1, si për ata të prekur, ashtu edhe për ata që kanë rezultuar negativë.
Informimin e komunitetit mbi rëndësinë e higjienës personale dhe ushqyerjes së sigurt të fëmijëve.
Lutemi për bashkëpunim dhe gadishmëri maksimale për ta përballuar këtë situatë me seriozitet dhe profesionalizëm.
