6 organizata për lirinë e medias i kërkojnë Ramës të heqë dorë nga “Agjencia e medias”

0

Organizatat për lirinë e shprehjes publikuan një deklaratë me fjalë të forta kundër vendimit të kryeministrit Edi Rama për të krijuar një “Agjenci për Media dhe Informim”, vendim që është cilësuar nga media si krijim i një “ministrie propagande” apo “ministrie e të vërtetës” të tipit oruellian.

Organizatat vënë në dukje se realiteti aktual i krijuar nga kryeministri me frikësim të gazetarëve dhe me mohim të të drejtës për të bërë pyetje për gazetarët e cilësuar si “të opozitës” e bëjnë krijimin e kësaj agjencie si “shqetësuese”.

“Organizatat tona ndajnë shqetësimet e shprehura nga kryeredaktorë të ndryshëm, organizata të shoqërisë civile dhe sindikatat e medias në Shqipëri që thonë se krijimi i Agjencisë, në vend që të përmirësojë aksesin e gazetarëve te informacioni publik, mund të bëjë saktësisht të kundërtën,” thuhet në deklaratën e firmosur nga Artikulli 19, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPU), OBC Transeuropa, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Free Press Unlimited.

Qeveria shqiptare shpalli planet për krijimin e një agjencie të drejtuar nga zëdhënësi i kryeministrit i cili, sipas vendimit “do të ketë statusin e ministrit” dhe do të kontrollojë punësimet dhe marrëdhëniet publike të të gjitha institucioneve të qeverisë qendrore. Sipas vendimit, kjo agjenci do të prodhojë informacione, do të kontrollojë deklaratat për shtyp dhe konferencat e të gjithan institucioneve, do të punësojë dhe shkarkojë nga puna zëdhënësat dhe do të mbikëqyrë “mjetet e komunimimit masiv” për të “evidentuar” qëndrimin e qytetarëve ndaj qeverisë.

Krijimi i një agjencie të tillë nuk do të ishte parë si ndonjë zhvillim i jashtëzakonshëm në situatë normale por historiku i deritanishëm i Ramës me median e bën agjencinë një institucion shqetësues.

“Konteksti është i rëndësishëm këtu,” shkruajnë organizatat. “Gazetarët në Shqipëri punojnë në një klimë jashtëzakonisht të vështirë në aksesimin e informacionit nga burimet qeveritare. Qeveria komunikon me gazetarët me ËhatsApp dhe jo përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. Gazetarët që punojnë në median e pavarur diskriminohen vazhdimisht kur kërkojnë informacion apo komente nga ministrat. Gazetarët që shihen se përfaqësojnë mediat “opozitare” nuk akreditohen apo ndalohen nga e drejta për të bërë pyetje në konferenca për shtyp,” shkruan deklarata.

“Kryeministri nuk bën konferenca për shtyp por mbështetet te stacioni i vet televiziv ERTV për të krijuar dhe shpërndarë videoklipe dhe kolona zanore të parapërgatitura. Intervistat i jepen gazetarëve të përzgjedhur duke mbrojtur kryeministrin dhe ministrat e tjerë nga përballja me pyetje sfiduese. Nën Partinë Socialiste, institucionet e tjera shtetërore kanë kopjuar këtë model dhe tani dërgojnë lajme të paketuara dhe përgatitura paraprakisht te gazetat dhe televizionet private,” shkruajnë më tej organizatat.

Një shqetësim i veçantë lidhet me skandalin e patronazhistëve.

“Pas zbulimeve të mëdha mbi grumbullimin e të dhënave të qytetarëve nga partitë politike përmes institucioneve shtetërore, ideja që paratë e taksapaguesve të përdoren për të financuar monitorimin e shtypit dhe medias sociale nga një agjenci qeveritare shkakton zile alarmi,” shkruhet në deklaratën e organizatave.

Organizatat, të cilat bëjnë pjesë në një nismë të quajtur Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias, i kërkojnë qeverisë “të anulojnë menjëherë krijimin [e agjencisë] për t’u siguruar që ajo nuk do të përdoret për të solidifikuar akoma më tej kontrollin mbi fluksin e informacionit”.

“Ne nxisim gjithashtu Bashkimin Evropian të angazhohet menjëherë me qeverinë Shqiptare për të ngritur këto shqetësime si çështje prioritare në bisedimet e ardhshme për anëtarësim,” shkruajnë ato.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu