Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë shëruar 351 qytetarë, duke e çuar numrin në total në 13804 që nga fillimi i epidemisë. Por rritja e këtij numri ka ardhur si pasojë e ndryshimit të strategjisë nga Komiteti Teknik. Nëse një i infektuar ka kaluar 14 ditë karantinë nga momenti i infektimit, cilësohet automatikisht i shëruar duke mos iu bërë tampon i dytë nëse e ka kaluar koronavirusin, por merret e mirëqenë.
Pra, ashtu si dje, edhe sot 351 të shëruarit nuk janë konfirmuar në 24 orët e fundit, por kanë mbaruar karantinën 14 ditore, pa iu nënshtruar kështu tamponit për negativizim duke u futur në listën e të shëruarve. Ndërsa, aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 412 pacientë, 13 në terapi intensive, nga të cilët 3 të intubuar. Dita e sotme shënoi një tjetër rekord të zi, pasi nga 2560 testime, u zbuluan 694 raste të reja, ndërsa u regjistruan 6 humbje jete.
Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 6 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: mjeku 66 vjeçar Ilirjan Draçi, një 28 vjeçare, një 61 vjeçare, një 76 vjeçare, dhe një 78 vjeçar nga Tirana, një 63 vjeçare nga Elbasani.