7 vjedhje njëra pas tjetrës, arrestohet 36-vjeçari në Cërrik

0

CËRRIK- Një person është arrestuar ditën e sotme në Cërrik për vjedhje. Mësohet se në pranga ka rënë një 36-vjeçar me iniciale B.M. Bëhet me dije se i riu është autori i 7 vjedhjeve të kryera në seri gjatë një një periudhe kohe të caktuar.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kavajë dhe Komisariati i Policisë Cërrik, operacioni policor i koduar “Often”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të përsëritur në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. U kap në flagrancë duke vjedhur në një banesë, në Kavajë, vihet në pranga 36-vjeçari i shpallur në kërkim për vjedhje. 36-vjeçari, i dënuar 4 herë më parë, për të njëjtën veprimtari kriminale. Zbardhen 7 vjedhje të kryera nga ky shtetas, gjatë muajit janar, në Kavajë.

Në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, zbardhen 4 vjedhje të tjera të kryera nga ky shtetas, gjatë muajit dhjetor 2022, në Cërrik. Sekuestrohen sende të ndryshme, të dyshuara të vjedhura. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, finalizuan operacionin policor të koduar “Often”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:

– B. M., 36 vjeç, banues në Cërrik, për veprën penale “Vjedhja”.

Ky shtetas është kapur në flagrancë duke vjedhur në një banesë, në fshatin Qerret, Kavajë. Nga veprimet hetimore rezultoi se 36-vjeçari ishte shpallur më kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 23.01.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë ka rezultuar se ky shtetas, gjatë javës së fundit të muajit janar, ka vjedhur sende të ndryshme, në 6 banesa dhe në 1 subjekt tregtar, në Kavajë. Disa nga sendet e vjedhura janë gjetur dhe skuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Komisariatin e Policisë Cërrik, rezultoi se ky shtetas, gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, ka vjedhur shuma parash dhe sende të ndryshme, në 4 banesa dhe subjekte tregtare, në Cërrik. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu