Presidenti Ilir Meta ka reaguar për 75-vjetorin e themelimit të OKB duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme sidomos në këtë vit fatkeqësish natyrore për vendin tonë. Ndërsa uron përvjetorin, Meta shtoi se Shqipëria beson që Kosova është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, ndaj anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara do sillte ndryshim për bashkësinë ndërkombëtare.
Shkrimi i plotë: Në këtë jubile të rëndësishëm, të 75-vjetorit të themelimit të OKB, që përkon me 65-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në të, besojmë thellësisht se Kombet e Bashkuara, mbeten ende gurthemeli i një bashkëpunimi shumëpalësh të bazuar në rregulla, nga i cili përfiton bashkësia globale si e tërë.
Shqipëri ka përqafuar dhe ka zbatuar parimet e Kartës së OKB-së dhe ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë, sepse besojmë fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale.
Në këtë 75-vjetor të Organizatës sonë, shprehim mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që kemi marrë nga OKB, që provoi edhe në këtë vit fatkeqësish natyrore për vendin tonë, se ishte një partnere e vërtetë, veçanërisht me ndihmën e dhënë për tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik dhe përballimit të COVID-19.
Duke uruar, në këtë përvjetor, një të ardhme sa më të ndritur për Organizatën tonë dhe të gjitha vendet e saj anëtare, do të dëshiroja të riafirmoja dhe një herë mbështetjen e përkushtuar të Shqipërisë për një rend të mirëbazuar në rregulla, të reformuar dhe ripërtërirë, me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në qendër të tij.
Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.