Takimi i kryeministrit Edi Rama me kandidatët për deputetë në qytetin e Lezhës ka nisur me një minutë heshtje në nder të deputetit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta një ditë më parë pasi humbi betejën me COVID-in.
Kryeministri sërish sulmoi kryesisht opozitën dhe kandidatët e saj, duke përdorur fyerje. Por gjatë takimit pati edhe momente tensione.
Kryesuesja e Partisë Socialiste në Lezhë, Lindita Nikolla është përballur me një situatë mjaft të sikletshme, teksa prezantonte përballë këtyre të fundit kandidatin e katërt për deputet, Gentjan Malotaj.
Nuk munguan elozhet nga Nikolla për këtë të ri, duke e cilësuar burrë të fortë e të mençur, ndonëse sjellja e Malotajt dëshmoi krejt të kundërtën.
Ajo u detyrua t’i kujtonte se i duhej të çohej në këmbë, dhe nën zë ia kërkon diçka të tillë, duke harruar se në dorë mbante një mikrofon.