Një anije me emigrantë afrikanë që po udhëtonte drejt Italisë është fundosur pranë qytetit Sfaks në tunizinë Jugore dy ditë më parë.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara në një deklaratë për mediat tha se deri më tani janë gjetur 41 trupa të pajetë të emigrantëve, mes të cilëve është edhe një fëmijë.
Ekipet e shpëtimit kanë arritur të shpëtojnë 3 persona, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për të gjetur trupa të tjerë të mbytur. Të gjithë emigrantët që kanë humbur jetën janë nga Afrika Sub-Sahariane.
Gjatë këtij viti në Mesdheun Qëndror kanë humbur jetën 290 njerëz, të gjithë emigrantë afrikanë që kanë tentuar të udhëtojnë drejt Europës për një jetë më të mirë.