Partia Demokratike do të dorëzojë ditën e diel në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 25 prillit në 9 qarqet të vendit.
Nëntë kërkesat do të dorëzohen në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. Pavlefshmëria pretendohet në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Berat, Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Durrës.
Nga opozita thonë se kanë mbledhur prova të mjaftueshme që faktojnë deformimin e votës përmes shitblerjes, përdorimit të burimeve shtetërore, administratës e të tjera parregullsi.
Për Gjirokastrën, shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve e ka kërkuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duke e mbështetur këtë kërkesë te vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve të marrë para zgjedhjeve për karantinë dyjavore për të gjithë shtetasit që hynin në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Pas Gjirokastrës, LSI pritet që të dorëzojë ankimime edhe për rezultatin e zgjedhjeve në Berat, Korçë dhe Elbasan. Afati i fundit për të dorëzuar ankimimet është dita e hënë. infowebtv.com