Një 51 vjeçar është arrestuar sot në Gjirokastër pasi kërcënoi policinë me një granatë në dorë duke mos pranuar që efektivët të bënin kontrollin fizik në banesën e tij. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen ’11 Janari’.
Mësohet se shtetasi 51 vjeçar me emrin Alban Islamaj, kishte qenë i dënuar më parë për vrasje dhe kontrabandë.
Pas neutralizimit , është ushtruar edhe një kontroll në banesën e tij ku policia ka sekuestruar një armë zjarri të tipit ‘kallashnikov’ dhe një krehër me fishekë luftarakë.
Njoftimi i Plotë
Gjirokastër
Kërcënoi me granatë në dorë, punonjësit e Policisë, me qëllim moslejimin e kontrollit të banesës dhe më pas tentoi të largohej, por falë ndërhyrjes profesionale, shërbimet e Policisë gjatë ndjekjes neutralizuan dhe prangosën 51-vjeçarin.
51-vjeçari i dënuar më parë për vrasje dhe kontrabandë.
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe një armë zjarri kallashnikov me një krehër me fishekë luftarakë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas, në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën për të ushtruar kontroll në banesën e shtetasit të dyshuar.
Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar pranë banesës së tij, shtetasi A. I. ka marrë një granatë difensive me vete dhe ka tentuar të largohet duke kërcënuar punonjësit e Policisë që të mos e ndiqnin, pasi do t’i qëllonte.
Shërbimet e Policisë, nisur nga rrezikshmëria që paraqiste ky person, kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe falë veprimeve dhe ndërhyrjes profesionale kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e këtij shtetasi, i cili mbante me vete një granatë difensive të montuar me ndezës universal.
Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, një krehër dhe 19 fishekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.