Gjiknuri tregon avantazhet dhe disavantazhet që ka PS në këto zgjedhje

0

Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe drejtuesi politik për Qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri, në një intervistë ekskluzive për Infoweb/Media me gazetarin Fatos Salliu, flet për fushatën zgjedhore.

Pyetje: Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet që ka Partia Socialiste në qarkun e Elbasanit?

Damian Gjiknuri: Elbasani ka qenë përgjithësisht nën mbështetjen e Partisë Socialiste ndër vite dhe ka qenë shumicë në të gjitha rekordet historike. Pushteti vendor është i Partisë Socialiste dhe e ka demostruar që ka bërë punë dhe ndryshime.
Mendoj se kemi kandidatët më të mirë në të gjitha bashkitë. Njerëzit të lidhur me territorin, njerëzit të cilët nuk përfaqësojnë thjesht vetveten, përkundrazi ata përfaqësojnë organizatën më të fortë politike, jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë, e cila është Partia Socialiste. Avantazhi tjetër është që njerëzit kanë besim tek kjo qeveri. Presin më shumë nga kjo qeveri. Pastaj, patjetër që qeverisja ka edhe barrën e saj. Kur je në qeverisje, ke dhe barrën e mospërmbushjes së disa premtimeve, dhe këto kanë ardhur për arsye objektive, si: pandemia, kriza ekonomike, mosrealizimi në kohë i disa premtimeve, etj. Të qenurit në pushtet ka avantazhet dhe disavantazhet. Dhe disavantazhi më i madh është pamundësia për të bërë premtime boshe. Premtimet boshe mund të duken të bukura, por prapë qytetarët janë në gjendje ti peshojnë.