Pas një mbyllje prej gati 5 muajsh ,Muzeu Etnografik i Elbasanit ka hapur dyert për të mirëpritur turistë vendas dhe të huaj të cilët shfaqin interes të njihen me traditat dhe zakonet e hershme të qytetit. Mbyllja e shtëpisë karakteristike elbasanase u bë pasi në të u kryen punime të nevojshme për shkak të amortizimit të çatisë dhe disa elementeve të tjerë thelbësor.Muzeu Etnografik i Elbasanit , i cili për dekada ishte lënë në harresë, tashmë është transformuar në një perlë të vërtetë të trashëgimisë kulturore,ndërsa drejtuesit e saj thonë se po vijohet edhe me transformimin e stendave dhe dizajnit, për ta bërë imazhin e “shtëpisë së Sejdinasve” edhe më atraktive për publikun.
Falë rikonstruksionit kjo godinë është rikthyer në identitetin e saj origjinal, duke i dhënë qytetit një vlerë të shtuar historike dhe turistike. Por Drejtor i Qendrës së Artit dhe Kulturës pohon se hapja e muzeve te tjera në qytet,një pjesë e tyre në lagjen Kala, do ta zgjeronte ofertën turistike të qytetit të Elbasanit.
Shtëpia është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963, duke u dalluar për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit, duke terhequr edhe vemendjen e turisteve. Por nga ndërtimi i muzeut në vitin 1986, ky është rikonstruksioni më i plotë që pëson muzeu./Infoweb Media