Të dielën në mëngjes, në orën 10:00, qindra banorë të fshatit Hotolisht dolën në një protestë paqësore për të kundërshtuar projektin e zgjerimit të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, pjesë e Korridorit VIII, i cili sipas tyre kërcënon të shkatërrojë shtëpitë, tokat dhe jetën e komunitetit.
Protesta u zhvillua përgjatë aksit rrugor pranë fshatit, ku për rreth 20 minuta u bllokua qarkullimi, si një shenjë simbolike për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve ndaj shqetësimeve të tyre. Mesazhi ishte i qartë: banorët nuk janë kundër zhvillimit të infrastrukturës, por kërkojnë që projekti të mos cenojë zonat e banuara.
“Ne nuk jemi kundër rrugës. Ne jemi kundër shkatërrimit të shtëpive tona, të jetëve tona. Rruga mund të kalojë me tunel teknologjia ekziston, por mungon vullneti politik,” deklaroi një prej protestuesve.
Banorët propozojnë ndërtimin e një tuneli, që do të shmangte dëmet mbi pjesën historike të fshatit dhe mjedisin përreth, duke lejuar që rruga të ndërtohet pa cënuar komunitetin.
Përveç rrugës së projektuar, një tjetër pikë e nxehtë për protestuesit është kompensimi i pamjaftueshëm që shteti u ka ofruar. Banorët pohojnë se shumat e premtuara nuk mjaftojnë për të rindërtuar shtëpitë e tyre në zona të tjera, ndërsa për tokat bujqësore, çmimi prej 174 lekësh për metër katror cilësohet si i papranueshëm dhe i padrejtë.
Zemërimi i tyre është përqendruar veçanërisht ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila sipas banorëve nuk iu përgjigj thirrjes për një takim që ishte paralajmëruar për të martën. Ky refuzim është parë si një tjetër shenjë e injorimit të shqetësimeve të tyre legjitime.
Protesta e së dielës nuk është hapi i parë. Banorët theksojnë se më parë i janë drejtuar të gjitha institucioneve përkatëse, duke dorëzuar një peticion me 511 firma, por ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare apo zgjidhje konkrete.
Ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë, nëse autoritetet nuk marrin parasysh kërkesat e tyre. Thirrja për unitet dhe solidaritetmes banorëve të fshatrave përreth ishte në qendër të fjalimeve gjatë tubimit, me besimin se vetëm me një zë të përbashkët mund të ndikohet në vendimmarrjen përfundimtare.