Nga Fatmir Popja
Një ngjarje e paprecedentë që ka shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në opinionin publik është regjistruar këtë javë në fshatin Katjel në Njësinë Administrative Rrajcë në Bashkinë e Prrenjasit. Për dy ditë me radhë, familjarëve të një gruaje nga komuniteti egjiptian nuk iu lejua varrosja e saj në varrezat e fshatit për shkak të një vendimi të pleqësisë dhe një pjese të komunitetit që e konsideronin familjen e të ndjerës “jo autoktone”.E ndjera Sofie Doda, 63 vjeç, nënë e katër fëmijëve, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë këtë fillimjavë. Por për familjen e saj, dhimbja për humbjen e njeriut të dashur u shoqërua me një dramë të rëndë sociale dhe njerëzore. Pavarësisht se familja Doda jetonte prej dhjetra vitesh në fshatin Katjel, pjesëtarët e pleqësisë së fshatit dhe disa banorë të tjerë refuzuan hapur që ajo të varrosej në varrezat lokale.
Sipas dëshmitarëve, refuzimi u mbështet në arsyetimin absurd se familja nuk ishte “autoktone” dhe rrjedhimisht “nuk kishte të drejtë varri në varrezat e fshatit”. Kjo sjellje e denjë vetëm për kohë të errëta, solli një reagim të menjëhershëm të familjarëve dhe të komunitetit të gjerë, por edhe përpjekje të dëshpëruara për të gjetur një zgjidhje.Ngjarja mori përmasa edhe më dramatike, kur familjarëve nuk iu lejua të varrosnin të ndjerën as në pjesën e varrezave të njohura si “të komunitetit egjiptian”, një zonë brenda fshatit ku tradicionalisht janë varrosur pjesëtarë të këtij komuniteti.E ndodhur përballë një situate të pashembullt, familja e të ndjerës, e cila jeton në kushte të vështira ekonomike, kërkoi ndihmë nga të njohur dhe sipërmarrës në qytetin e Prrenjasit. Ishte pikërisht një sipërmarrës i njohur nga fshati Skroskë i cili ndërhyri dhe arriti të sigurojë një vend për varrin e 63 vjeçares në varrezat publike të qytetit të Prrenjasit. Ceremonia mortore u zhvillua mesditën e së Mërkurës, larg fshatit ku Sofie Doda kishte jetuar gjithë jetën e saj.
-Një precedent i rrezikshëm diskriminimi-
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta nga banorë të zonës dhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët e kanë cilësuar refuzimin si një akt diskriminues, turpërues dhe të dënueshëm moralisht dhe ligjërisht.Emin Dashi, administrator i një agjencie funerale në Prrenjas prej më shumë se 35 vitesh dhe organizator i ceremonisë së varrimit, deklaroi se një situatë e tillë nuk është parë as në Shqipëri dhe as jashtë saj gjatë gjithë përvojës së tij. “Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikujt t’i mohohet varri në fshatin apo qytetin ku ka jetuar, vetëm pse nuk është i një ‘gjaku’ apo përkatësie ernike e vendore,” – tha ai.
-Nevoja për rregullim ligjor të varrezave në fshatra-
Rasti i ndodhur këtë javë në fshatin Katjel të bashkisë Prrenjas ka nxjerrë në dukje një problem të madh që po përshkallëzohet në shumë zona rurale të vendit,mungesa e rregullimit ligjor për varrezat. Vitet e fundit është kthyer në praktikë që çdo familje të ndërtojë parcela private për varre, duke mos lënë vend për barazi qytetare dhe duke shkelur të drejtën themelore të çdo individi për një vend për prehje të fundit.Ky incident nuk është vetëm një tregues i thellë i paragjykimeve etnike dhe shoqërore që ende ekzistojnë në disa komunitete, por edhe një alarm për pushtetin vendor dhe qendror që të ndërhyjë me masa konkrete dhe ligjore.
-Apel për drejtësi dhe ndërhyrje institucionale-
Familjarët e të ndjerës kërkojnë që autoritetet të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa ndaj atyre që penguan varrimin, duke e kthyer dhimbjen e tyre në një traumë kolektive. Ata kërkojnë gjithashtu që të përcaktohen qartë me ligj të drejtat e varrimit dhe përdorimit të varrezave publike në të gjitha zonat e vendit, për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.Ky rast ka nxjerrë në pah jo vetëm nevojën për sensibilizim dhe edukim qytetar, por edhe domosdoshmërinë e garantimit të të drejtave themelore për çdo individ, pa dallim etnie, përkatësie sociale apo vendbanimi.