Qyteti i Elbasanit u kthye në një qendër të vërtetë të artit dhe energjisë rinore gjatë edicionit të 29-të të Maratonës Rinore Elbasan 2025.Ky aktivitet muzikor ishte një ngjarje që mblodhi në një skenë të vetme pasionin, talentin dhe përkushtimin e të rinjve. Ky edicion u zhvillua me pjesëmarrjen e 560 nxënësve dhe 40 mësuesve nga 9 gjimnazet e bashkisë së Elbasanit të cilët sollën në skenë performanca mbresëlënëse që emocionuan publikun dhe jurinë njëkohësisht.Në këtë maratonë që tashmë është kthyer në një traditë të çmuar kulturore për qytetin dhe më gjerë u dalluan emrat e gjimnazeve që kontribuan me talente të jashtëzakonshme nga “Dhaskal Todri”, “Konstandin Kristoforidhi”, “Mahir Domi”, “Ahmet Dakli”, “Luigj Gurakuqi”, “Muhamet Ali Cungu”, “Salih Ceka” dhe “Kuqani”. Të rinjtë konkurruan në fusha të ndryshme si këngë, aktrim, modeling dhe forma të tjera arti performues duke treguar një nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje artistike.Kompozitori i njohur Edmond Rrapi, njëherazi ideatori dhe drejtuesi artistik i këtij aktivitetin vuri në dukje rëndësinë dhe origjinalitetin e këtij formati duke theksuar se Maratona Rinore është një risi që lindi në Elbasan dhe më pas u përhap me sukses edhe në qytete të tjera si Tirana, Durrësi, Korça dhe Vlora. Sipas tij, kjo iniciativë është një shembull frymëzimi për gjithë Shqipërinë, pasi zbulon dhe promovon potencialin artistik të brezit të ri.Gjatë dy javëve të konkurrimit, Teatri “Skampa” u mbush çdo natë me atmosferë festive, duartrokitje dhe emocion. Të rinjtë sfiduan veten dhe njëri-tjetrin në një garë të shëndetshme ku fitues ishte arti dhe pasioni për të. Në mbyllje të evenimentit, pas një procesi rigoroz vlerësimi u ndanë 21 çmime për talentet që spikatën në disiplina të ndryshme, duke u njohur dhe inkurajuar për rrugëtimin e tyre të mëtejshëm artistik.Ky aktivitet nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen dhe angazhimin e Bashkisë së Elbasanit, Zyrës Vendore të Arsimit dhe Qendrës së Artit të cilët me përkushtim maksimal garantuan një organizim shembullor dhe një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse për të gjithë pjesëmarrësit.Maratona Rinore 2025 në Elbasan dëshmoi edhe një herë se rinia shqiptare është një pasuri e çmuar, plot energji, kreativitet dhe potencial për të ndritur skenat jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve. Ajo mbetet një model për nisma të ngjashme kulturore që kanë në thelb zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja.