“Treni bullgar” në lokalin në Pekisht? Himçi: U gjetën para, karta dhe dokumente së bashku, këto janë pjesë e krimit elektoral në Elbasan

0

TIRANË- Kandidati për deputet i PD-së në qarkun e Elbasanit, Blendi Himçi tha sot në një deklaratë për mediat se në lokalin ku u gjetën materialet e votimit në fshatin Pekisht u gjetën lek, euro e paund.

Përveç parave, Himçi tha se mbi banakun e lokalit ishin dhe karta identiteti, patenta dhe dy dokumente, për të cilat nuk jepte dot detaje sepse janë pjesë e sekretit hetimor. Ai u shpreh se për këtë rast është njoftuar policia e shtetit dhe drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit.

“Faktikisht, kemi thërritur policinë e shtetit, drejtuesin e prokurorisë së Elbasanit, në lidhje me rastin në fjalë dhe kanë qenë të pranishëm policia e cila ka vepruar konform rregullave dhe kanë konstatuar siç e shikoni edhe lek të gjetura në banak, të cilit ishin lek, euro dhe paund. Po ta shikoni janë pjesë e krimit elektoral, sepse nuk ka kuptim që të qëndrojnë euro, paundë dhe lek në të njëjtën kohë në barin e një lokali. Këto janë ditën e sotme të konstatuar nga policia. Aty ka karta identiteti, patenta dhe dy dokumente të cilat nuk mund të sqaroj më konkretisht se janë pjesë e sekretit hetimor. Në pritshmëritë e personit për të provuar firmosjen, për të mësuar se si votohet, por nuk deklaron nëse janë fletë votimi të vlefshme, të printuara apo false. Nuk jep sqarim.”, u shpreh Himçi.