Peqini, qyteti i lashtë që dikur njihej si Klodiana dhe përshkohej nga rruga antike Egnatia, po rikthehet në qendër të vëmendjes si një destinacion historik dhe turistik me potencial të jashtëzakonshëm. Së fundmi në bashkëpunim me ekspert të fushës ka nisur rikonstruksioni i rrugës antike Egnatia, një arterie historike që lidhte Kostandinopojën me Romën.
Sipas përfaqësuesve të trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Peqinit, Rruga Egnatia është ndër monumentet më të vjetra të trashëgimisë sonë antike, rrugë ku dikur kaluan ushtri, personalitete të kohës dhe karvane tregtarësh.
Rritja e interesit është ndjerë menjëherë. Me qindra vizitorë së fundmi kanë ndaluar në Peqin, duke e përfshirë në itineraret e tyre kulturore. Bashkia synon të bashkëpunojë me operatorët turistikë për të ndërtuar një ofertë të strukturuar për turet njëditore, duke përfshirë vizita në kalanë historike, shëtitje në rrugën Egnatia, dhe eksperienca autentike me kulinarinë lokale.



Për të promovuar prodhimet bio dhe pasurinë bujqësore të zonës, në sheshin qendror pranë kalasë u mbajt një panair agro-ushqimor, ku fermerët ekspozuan produktet e tyre të stinës dhe kërkuan më shumë mbështetje për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Atmosfera festive u plotësua me paradën e motoristëve, ndërsa mbrëmja u mbyll me një koncert masiv, ku qytetarët dhe vizitorët festuan së bashku në zemër të një qyteti që po rilind përmes trashëgimisë dhe vizionit të së ardhmes.





